Tiranë- Kryeministri Edi Rama ka pritur në hollin e kryeministrisë, Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias. Rama ka nisur fjalën e tij duke falenderuar Dendias për ndihmën që i dha Shqipërisë gjatë gërmimeve për tërmetin tragjik të 26 nëntorit.
“Sinqerisht asnjëherë nuk do e harroj momentin e nxjerrjes së një djali të ri nga rrënojat nga trupat e shpëtimit të ardhura nga Greqia. Ata djem të ardhur me uniformë tjetër, nga një vend tjetër, sakrifikuan jo pak dhe ishin gati të sakrifikonin dhe jetën, pas orësh e orësh ku përparohej me milimetra në një pallat të tërë që ishte rrëzuar. Kështu që me atë kujtim të fortë dhe të paharrueshëm, sot, e mikpresim këtu, mikun tonë për të folur për rrugën e përbashkët të të ardhmes si dy fqinj që nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin, por jemi bashkë nën të njëjtin diell prej mijëra vjetësh, dhe kemi detyrimin që të bëjmë më të mirën.”-tha Rama.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare. Ai do të takohet me Ramën, Cakaj, Bashën dhe Metën, ku do të flasin mbi çështjen e detit. Ndërkohë PDIU ka zhvilluar një protestë para Ministrisë së Jashtme. Në mbështetje të tyre ndodhen edhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.