Publicisti kosovar, Veton Surroi, foli në një lidhje me “Skype” për emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, për vendimin e Këshillit të Qarkut të Kukësit për t’i hequr titullin “Qytetar Nderi”, me argumentin se ai doli kundër Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Surroit, ky vendim, i cili u rregulla më pas nga Prefekti i Kukësit, ishte jo serioz dhe nuk linte shije të mirë.
Pyetje: Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi”, që u rregullua më pas, a keni një koment serioz?
Veton Surroi: Nuk kam një koment serioz për një ngjarje, që nuk kishte seriozitet. Ishte një ngjarje që nuk la shije të mirë.
Pyetje: Ke qenë nga të parët që ke folur publikisht mbi atë që po ndodhte në Kosovë, me një shkrim shumë të fortë, ku thoje se krimet janë krime, pavarësisht se ndaj kujt bëhen. Ti thoje se në Kosovë po kryheshin krime politike. I qëndron edhe sot pas 20 vitesh atij shkrimi?
Veton Surroi: Absolutisht që i qëndroj. Thirrja ime ka qenë që politika në Kosovë, forcat ushtarake, të mblidhen, të marrin fuqinë, që të ndërpresin një fushatë kundër bashkëatdhetarëve, kundër minoriteteve, dhe që të shfrytëzohet liria për të ngritur institucionet, për të shpejtuar hapjen drejt pavarësisë. Ato muaj kritikë pas çlirimit na kanë lënë shumë mbrapa.