TIRANE– Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes së botuesit Kasem Hysenbelliu, i cili u nda nga jeta mëngjesin e sotëm. Në një postim në rrjetet sociale, Meta thotë se lajmi është tronditës, ndërsa ngushëllon familjen dhe gazetarët e Fax News dhe Fax Web, dhe i solidarizon të kryejnë detyrën e tyre.
POSTIMI I ILIR METËS:
Tronditës dhe i pabesueshëm lajmi për humbjen e parakohëshme nga jeta të Kasem Hysenbelliu, Presidentit të “Fax News”, kësaj media të lirë, të pavarur e dinjitoze. Në këto momente të vështira jam pranë nënës, bashkëshortes, fëmijëve, familjarëve, miqve, kolegëve e gazetarëve dhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të pazëvendësueshme.
Solidaritet me të gjithë gazetarët e “Fax News” dhe Faxweb.al, të cilët i inkurajoj të vazhdojnë misionin dhe ëndrrën e lënë përgjysmë nga Presidenti Hysenbelliu, për të ndërtuar një media të lirë, zëri i çdo qytetari në nevojë dhe çdo kauze sociale, zëdhënëse e pakompromis e opinionit publik. I paharruar kujtimi i Kasem Hysenbelliut! U prehsh në paqen e merituar.
Presidenti i Fax News, Kasem Hysenbelli u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në Turqi për shkak të komplikacioneve nga COVID19. Botuesi dhe drejtuesi i disa prej mediave kryesore në vend prej më shumë se 20 vitesh, nuk mundi të fitojë betejën me virusin vdekjeprurës.