TIRANË– Një 25-vjeçar është vrarë gjatë natës nga një efektiv policie. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën “Dritan Hoxha” rreth orës 1:45 të mëngjesit, ku patrulla ka pikasur një të ri që po kryente veprime të dyshimta. Edhe pse të riut me iniciale K.R., identiteti i plotë i të cilit nuk është bërë me dije, i është bërë thirrje për të ndaluar, ai ka zgjedhur që të largohet me vrap duke u drejtuar efektivëve një send të fortë në dukje armë zjarri.
Në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit shkruhet se efektivi i Policisë i ndjerë i kërcënuar nga “arma” dhe në mungesë ndriçimi vendosi që ta qëllonte me armën e shërbimit. Si pasojë e qitjes së efektivit, 25-vjeçari mbeti i plagosur, edhe pse dërgua me urgjencë në spital nuk mundi ti mbijetonte plagës së marrë. Ndërkohë që prokurori ndodhet në vendngjarje dhe po ndjek e monitoron të gjitha veprimet që po kryhen nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme dhe nga Policia. Aktualisht efektivi është shoqëruar në ambientet e Policisë së Tiranës deri në zbardhjen e çështjes.
NJOFTIMI I PLOTË:
Tiranë/Informacion paraprak
Me datë 08.12.2020, rreth orës 01:45, sherbimet e Policisë gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta. Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte por personi nuk i është bindur urdhërit të Policisë për të ndaluar.
Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e Punonjësit të Policisë për të ndaluar përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri.
I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jeten në spital. Menjeherë është ngritur Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia.
Prokurori ndodhet në vendngjarje dhe po ndjek e monitoron të gjitha veprimet që po kryhen nga Sherbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB dhe nga Policia për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Punonjësi i policisë shtetasi N.H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të metejshme. Vijon puna intensive nga grupi hetimor për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.