Tiranë- Në Ditën Kombëtare të Rinisë nuk mungoi as mesazhi nga Monika Kryemadhi, e cila ka premtuar se do të vazhdojë të mbështesë rininë shqiptare, duke e cilësuar si të vetmen shpresë për ndryshim në vendin tonë.
Statusi i Monika Kryemadhit
30 vjet më parë, rinia e Shqipërisë ndezi një shpresë të re duke i dhënë vendit tonë një drejtim të ri. Kurajoja dhe vizioni i tyre çeli rrugën e afrimit të vendit tonë me familjen Europiane. Ashtu si të rinjtë e 30 viteve më parë, është rinia e sotme që mund t’i japi Shqipërisë drejtimin e ri për të cilin kemi nevojë. Një Shqipëri ku kushdo gjen shpresë, ku të gjithë kanë mundësi për punësim të mirëpaguar, ku çdo shqiptar ëndërron ta bëjë Shqipërinë shtëpinë e tij. Unë do të vazhdoj të mbështes të rinjtë, jo vetëm me fjalë por me veprime, sepse është rinia e sotme që do të krijojë një të nesërme më të mirë në Shqipëri. Ne duhet të punojmë për të mbështetur fort brezin e ri dhe t’i japim atyre të gjitha mundësitë që kanë nevojë për të qëndruar në Shqipëri. Kemi nevojë për ndihmën e brezit të ri, që ta ndihmojë Shqipërinë të distancohet nga dështimet dhe që misioni kombëtar ‘Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’, i cili ka 30 vjet që kumbon si thirrje, të mos përplaset më në murin e një politike që nuk dëgjon, por vetë ata të ndërtojnë Shqipërinë shtëpi të tyre. Shqipëria duhet të flasë më shumë me zërin e të rinjve të mrekullueshëm që kemi! Është koha e tyre! Le t’i dëgjojmë!