TIRANË– Xhaxhai i Klodian Rashës ka dhënë deklaratën e tij para mediave të cilat janë të pranishme në afërsi të banesës së të riut që u vra mbrëmjen e djeshme nga policia.
Ai është shprehur se nipi i tij ka qënë i sëmurë dhe se merrte mjekime për nervat. Xhaxhai i të riut tregon se fillimisht iu është raportuar se nipi i tij është arrestuar e më pas i kanë thënë se ka bërë aksident me policinë.
Ndër të tjera ai shtoi se nipi i tij kishte dy hurma në dorë të cilat i kishte lënë në ballkon duke eleminuar mundësinë e armës.
“Në fillim na thanë djali është arrestuar nga policia. Dhe ky ka shkuar sikur është arrestuar. Pastaj kanë thënë se djali ka bërë aksident me policinë. Pastaj kanë thënë se ka vdekur. Djali ka dalë me pirë kafe. Ka pasur dy kokrra hurma në dorë i ka lënë në ballkon. Kërkojmë që kjo të zbardhet deri në fund.Vëllai më ka thënë se djali nuk ka pasur asgjë me vete se nuk ka armë në shtëpi. Apelin policisë prej nesh që këtë punë ta zbardhë deri në fund si të jetë në punë”-është shprehur xhaxhai i 25 vjecarit.
E gjithë ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatë. Efektivi i Policisë i mbetur vetëm me 25-vjeçarin Klodian Rasha e ka qëlluar me armën e shërbimit duke e plagosur për vdekje. Edhe pse u dërgua me urgjencë në spital, 25-vjeçari nuk u mbijetoi plagëve të marra. Vetë Policia ka dhënë versione të ndryshme, duke pranuar se nuk kishte armë, deklaratë që e rrëzoi vetë pak më vonë. Prokuroria dhe SHÇBA po ndjekin ngjarjen për të parë nëse kemi të bëjmë me tejkalim të kompetencave të policisë apo jo.