Administrata amerikane për Ushqimin dhe Medikamentet doli në përfundimin se vaksina kundër Covid-19 që po mendohet të shpërndahet, është në përputhje me kriteret e paracaktuara, duke sugjeruar se agjencia do të japë dritën jeshile. Agjencia publikoi të martën dy analiza të veçanta, një nga stafi i saj i shkencëtarëve dhe një nga prodhuesit e vaksinës, “Pfizer Inc” dhe partnerin e saj gjerman “BioNTech”.
Analizat vunë në dukje përfitimet e shumta nga vaksina, përfshirë atë për reduktimin e rrezikut për prekjen nga Covid-19 pas të paktën 7 ditësh nga doza e dytë. Kjo, pasi vaksina e “Pfizer” kërkon dy doza për mbrojtje të plotë. Administrata për Ushqimin dhe Medikamentet deklaroi se një tjetër përfitim ishte reduktimi i rrezikut të infektimit pas dozës së parë.