TIRANË– Ditën e sotme është planifikuar një protestë pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i policisë mbrëmjen e djeshme.
Në një njoftim të publikuar dhe që më pas është shpërndarë në masë në rrjetet sociale është kërkuar pjesëmarrje e madhe, duke kërkuar edhe lirimin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj nga detyra.
“#BASHKOHU #SHPERNDAJE. Ne radhe ta pare ngushellime familjes per djalin e humbur. Ajo qe ka ndodhur mund ti kishte ndodhur çdo kujt prej nesh. Une, ti, apo familiari i kujt e ka radhen? Ai qe supozohet qe duhet te na mbroj jeten, na e mer pa te drejte. Duke u nisur nga kjo vrasje makabre qe nje punonjes policie shkaktoi ndaj nje qytetari, kerkojme nje reagim popullor. Neser ora 11:00 te gjithe perpara ministrise se rendit! Te gjithe te bashkuar, prinder, femije, kushdo qe e ndjen veten sado pak Shqiptar, te kerkojme qe drejtesia te vendoset ne vend, dhe pergjegjesit te dalin para drejtesise, gjithashtu kerkesen per doreheqje te pergjegjesit kryesor ministrit Sander Lleshaj. NESER MUND TE JETE RADHA JOTE, NESER MUND TE JETE TEPER VONE. Mos harroni maskat dhe distacen minimalisht 1.5 meter. Shihemi neser!”- shkruhej në postim.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesnatën e kaluar në Tiranë. 25-vjeçari u vra nga një efektiv policie në zonën e Laprakës, në rrugën “Dritan Hoxha” rreth orës 1:45 të mëngjesit, ndërsa efektivi Nevaldo Hadëraj është prangosur 12 orë më pas. Polici ishte duke patrulluar në Laprakë, kur ka pikasur të riun i cili ishte duke lëvizur përtej afatit të lejuar nga autoritetet dhe i ka kërkuar të ndalojë. I riu nuk ka pranuar dhe polici e ka ndjekur të riun, e ka qëlluar duke e plagosur me dy plumba, një në kokë dhe një në shpatull. Klodian Rasha ka ndërruar jetë në spital ndërsa familja mohoi ekzistencën e një arme në dorën e tij.