VLORË– Zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj ka qenë ditën e sotme në Vlorë, ku ka zhvilluar një takim me biznesmenë dhe prodhues. Në fjalën e tij, Ahmetaj tha se qeveria ka një iniciativë për të hapur rafinerinë me partnerë apo miq të partnerëve strategjikë. Sipas tij, po punohet për të vendosur në punë TEC-in e Vlorës me një konsorcium kompanish amerikane, në mënyrë që të kemi më shumë energji elektrike. Plani i qeverisë, sipas Ahmetajt është edhe lidhja me tubacion gazi e Fierit e Vlorës me TAP, gjë që shtoi se e kthen gjirin e Vlorës në potencë edhe në një furnizues të rëndësishëm gazi, qoftë për nevojat e brendshme apo të tjera.
“Kryeministri ka një iniciativë për të parë edhe mundësinë e rafinerisë me disa aktorë ekonomik të fuqishëm botëror, që janë ose miq të aleatëve strategjikë ose vet aleatët tanë strategjikë. Në Vlorë do të kemi edhe termocentralin, një konsorcium kompanish amerikane Exxon Mobil dhe Excelerate Energy, që besoj se veç shtim kapacitetesh do të kemi edhe balancim. Kemi në plan të lidhim me tubacion gazi, Fierin me Vlorën. Dhe platformat lundruese të gazit, që tashmë janë teknologji të çertifikuara, e kthejnë gjirin e Vlorës në një furnizues gazi, qoftë për nevojat e brendshme, qoftë për nevojat e TAP-it. Ka patur shumë kriza, por qarku i Vlorës e ka lënë pas të kaluarën, me investimet private dhe publike, që e kanë bërë një nga qytetet më të bukura të Mesdheut,”- tha Ahmetaj.
Më pas në një intervistë për Fax News, zëvendëskryeministri tha se pavarësisht rritjes së çmimeve pritet një sezon turistik fantastikë. Sipas tij, turizmi nuk ka nevojë për mbështetje.
“Unë mendoj se kemi një komunikim shumë të mirë me sipërmarrjen dhe me përfaqësuesit, mendoj se do kemi një sezon turistik fantastik. Mendoj se sezoni turistik këtë vit do jetë shumë i mirë për Vlorën dhe për gjithë Shqipërinë. Them se do kemi numra shumë pozitivë që do sjellin edhe të ardhura për qytetarët. Turizmi nuk ka nevojë të mbështetet, nevojë për mbështetje, kanë qytetarët” -tha Ahmetaj.