PAKISTAN- Autoritetet pakistaneze kanë arrestuar një burrë të akuzuar si udhëheqës i një grupi militant islamik, që ishte fajësuar për sulmet në vitin 2008 në Mumbai të Indisë.
Nw zyrtar kundër terrorizmit, Shakil Ahmed tha të shtunën se Zaikur Rehman Lakhvi është arrestuar në qytetin Lahore, nën akuza për financim të terrorizmit. Sipas mediave të huaja, Lakhvi dyshohet se është lider i grupit militant, Lashkar-e Taiba (LeT), grup të cilin, Shtetet e Bashkuara dhe India e akuzojnë për sulme në Mumbai më 2008, ku mbetën të vdekur 166 persona, mes tyre dhe amerikanë.
Mediat bëjnë me dije se ai u arrestua pas sulmit por që është liruar në 2015, pas vendimit të një gjykate pakistaneze.
Autoritetet pakistaneze pretendojnë se Lakhvi kishte një farmaci në Lahore, por ky biznes ishte përdorur për aktivitete të ndryshme. Një komitet për sanksione i Këshillit të Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka thënë se Lakhvi udhëheqte operacionet e LeT dhe e ka akuzuar atë për pjesëmarrje në aktivitete të militantëve jashtë vendit, përfshirë në Afganistan, Irak, Bosnje dhe në Çeçeni të Rusisë.
Grupi militant LeT është grup i armatosur i lidhur me Al-Kaidën dhe lufton në rajonin e Kashmirit, të kontrolluar nga India. Më 2002, ky grup ishte akuzuar po ashtu për sulmin ndaj Parlamentit të Indisë dhe ishte shpallur i paligjshëm. Militantët e këtij grupi kanë kryer sulme edhe ndaj forcave afgane dhe trupave të huaja që gjenden në Afganistan. Zyrtarët indianë dhe afganë kanë akuzuar Islamabadin se ndihmon këtë grup, por autoritetet pakistaneze kanë hedhur poshtë këto akuza.