TIRANË – Jorida Tabaku i është përgjigjur sot interesit të medias lidhur me zhvillimet e fundit brenda demokratëve, kryesisht vendimin e kreut të grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj për përjashtimin e 4 deputetëve.
“Besoj të gjithë më keni ndjekur, në diskutimet e mia. Jam përpjekur për të qenë konstruktive. S’më ka thirrur kush për mbledhje grupi, s’kam asnjë dijeni po mblidhen s’po mblidhen firma. Kam vetëm një qëllim, të bëjmë PD forcë fituese, të merremi me hallet e qytetarëve. Është e papranueshme për mua që të jetë PD më pak e besueshme. Do punoj cdo ditë për një qëllim kryesor, që PD të jetë sa më shpejt forcë fituese.
PD ka një kryetar grupi, që mendoj e ka ushtruar në të mirë e të keq detyrën e tij. Do jem gjithnjë pjesë e zgjidhjes dhe jo e konfliktit dhe kështu do të vijoj”, u shpreh Tabaku. Deklaratat deputetja demokrate i bëri në përfundim të mbledhjes së Konferencës së kryetarëve, për të cilën u shpreh se ka kërkuar që Kuvendi t’i kthehet rregullit, dhe të mos mblidhet sa herë ka nevojë qeveria.
“Ngrita shqetësimin se ka një sërë nismash që nuk shqyrtohen në komisione, kërkova të bëhen pjesë e punës së komisioneve. Kërkova nga kryetarja të evitojmë seanca që zgjasin me ditë e netë. Parlamenti duhet të ketë rregull, mos mblidhet kur ka nevojë qeveria. Duhet të jetë në funksion të punës parlamentare jo të qeverisë. Duhet të diskutojmë ato që ka prioritet parlamenti.”- u shpreh Tabaku ndër të tjera.