Ambasada ruse në Tiranë i përgjigjet këshilltarit për media të kryeministrit Rama, duke theksuar se Rusia është e gatshme të shpërndajë vaksinën e saj kundër koronavirusit edhe në Shqipëri.
Ambasada thotë se vaksinimi “Sputnik-V” ka filluar të shpërndahet në Rusi dhe Argjentinë, ndërkohë që më shumë se 50 vende kanë aplikuar për të blerë 1,2 miliard dozë të preparatit.
Reagimi vjen pas një postimi në twitter të Fugës, i cili e quante lajm të shkëlqyer nisjen e vaksinimit në Bashkimin Evropian. “Në një pandemi mund të jeni aq i sigurt sa fqinjët tuaj”, shkruan midis të tjerash ai.
Reagimi i ambasadës ruse:
I nderuar z. Endri Fuga,
Ju bëjmë me dije se Fondi Rus i Investimeve Direkte (https://rdif.ru/Eng_Index/) është autoruzuar të zhvillojë negociata me vendet, të cilat janë të interesuara për të blerë vaksinat kundër COVID-19. Nuk kemi dyshime se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik-V” edhe në Shqipëri. Vaksinimi me “Sputnik-V” tashmë filloi në Rusi dhe në Argjentinë, ndërkohë më shumë se 50 vende kanë aplikuar për të blerë 1,2 miliard dozë të preparatit. Në çdo rast, e përsërisim informacionin e postuar më parë për karakteristikat dhe avantazhet e saj në krahasime me një serë vaksinash të tjera.