Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim e ftuar në emisionin “Real Story” në News 24 me Sokol Ballën ndryshe nga postimet e saj në rrjete sociale iu drejtua njëherësh me një mesazh krerëve të politikës shqiptare me qëllim që siç tha, asnjëri prej tyre të mos e interpretojë sikur mesazhi është për tjetrin.
Teksa e vuri theksin tek zgjedhjet e 25 prillit, për të cilat tha se duhen siguruar elementët teknikë, zonja Kim komentoi edhe rrjedhjet e politikanëve nga një parti në tjetrën dhe dha mesazhin e qartë se një parti nuk duhet të pranojë vetëm për avantazh politik një individ që nuk e ka kaluar vetingun tek një parti tjetër.
Ambasadorja Kim: Patjetër. Kur takohem me shqiptarë të zakonshëm, një nga gjërat që pothuajse të gjithë përmendin është korrupsioni, në politikë, biznes. Ata flasin se duan politikanë më të mirë që t’i përfaqësojnë dhe, njerëzit janë të mençur, e dinë çfarë ndodh. E dinë se kush është kush. Ka ligje që Shqipëria i ka për dekriminalizimin që ndalon kandidimin e personave të dënuar apo zgjedhjen e tyre në parlament. Por ka edhe individë të tjerë që janë të njohur që të ulen në kuvendin e popullit, duke bërë legjislacion e ligje, apo jo? Dhe këtë përpiqem të vë në dukje, ndaj mendoj se udhëheqësit e partive duhet të marrin përgjegjësitë. Kam vënë re që sa herë flas për këtë, secili pretendon sikur unë flas për palën tjetër. Dhe më duhet të them, dua të jem shumë e qartë, po flas për ty. Po i flas Z. Rama në cilësinë e tij si kreu i PS; po i flas Z. Basha si kreu i PD; po i flas edhe Znj. Kryemadhi; po i flas kujtdo që drejton një parti politike. Është përgjegjësia juaj dhe po ju flas ju. Pra, askush nuk mund të ngatërrohet sikur po i flas palës tjetër. Dhe diçka tjetër. Dëgjoj edhe për njerëz në partitë politike, udhëheqësit politikë në veçanti, duhet të luajnë ndershëm dhe duhet të jenë të ndershëm. Dhe një element i kësaj është se kur një parti përjashton dikë sepse ai person nuk kaloi vetingun në partinë e tyre, ai person nuk duhet marrë nga një parti tjetër për avantazh politik. Kjo nuk është e pranueshme dhe ky është pozicioni i Ambasadës së SHBA por besoj është edhe pozicioni i popullit shqiptar. Mendoj se duan politikë më të pastër. Mendoj se duan gjykata më të pastra. Mendoj se duan udhëheqësi të vërtetë, të ndershme nga partitë politike dhe unë jam me ta.