Shtatori e gjen Partinë Demokratike, (PD) më të madhen në opozitë në Shqipëri, me një ekip të ri në forumet drejtuese, të sapozgjedhur nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të kësaj partie.
Fjala është për anëtarët e kryesisë së re të PD, ata të Këshillit Kombëtar dhe deputetët e PD-së në komisionet parlamentare të Parlamentit të ri, që fillon punimet të enjten e ardhshme, më 9 shtator. Në ekipin, e ri, me të cilin kryetari i PD, Lulzim Basha do të bëjë opozitë në 4 vitet e ardhshme pas dy vitesh jashtë Parlamentit, nuk gjendet emrat e disa kritikëve apo atyre që janë shprehur pro largimit të ish-kryeministrit Berisha nga grupi i parlamentar i PD.
Largimi i Berishës nga politika është kërkesa amerikane për Bashën, në vijim të shpalljes nga Departamenti Amerikan i Shtetit, (DASH), në maj të këtij viti, të liderit historik të PD, “person i padëshiruar”, që për shkak “të akteve korruptive që cënojnë demokracinë në Shqipëri i ndalohet hyrja në territorin e SHBA”.
Mënjanohen zërat kritikë në PD?
Fatbardh Kadilli, kritik i Bashës dhe anëtar i mëparshëm i kryesisë së PD e shikon mungesën e zërave kritikë në ekipin e ri si shenjë të mbylljes së partisë. “Përjashtimi i zërave kritikë nga forumet e reja drejtuese të PD është një dëshmi tjetër e mbylljes së partisë, ngushtimit të hapësirave për nisma dhe veprime politike dhe njëherazi kërcënim për mënjanim ndaj cilitdo që ka një mendim ndryshe nga kryetari”. “Në ekipin e ri të Bashës nuk ka zëra të pavarur“, shprehet Kadilli për DW.
Edhe Agron Shehaj, një rival tjetër i Bashës për postin e kryetarit dhe kritik i tij mori vota të pamjaftueshme për të qënë anëtar i kryesisë së re të PD. Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të sivjetëm, Agron Shehaj ishte një nga më të votuarit e PD me 14 mijë vota preferenciale në qarkun e Tiranës.
Nga publikimi prej PD i listës së deputetëve që garuan për të qënë anëtarë të forumeve të reja drejtuese dhe i votave që ata morën, rezulton që morën më shumë vota edhe ata që elektorati i votoi më pak. Kërkesës së DW për opinionin e PD për këtë dukuri, zyra e saj e shtypit iu përgjigj duke referuar publikimin e rezultateve të votimit për anëtarë të forumeve të reja drejtuese.
Agron Shehaj thotë për DW, se promovimi brenda partisë nuk përkon me pëlqyeshmërinë e elektoratit.
“Besoj që duhet të drejtohemi nga rezultatet konkrete dhe vullneti i zgjedhësve tanë. Rezultati i proceseve zgjedhore në PD pasqyron qartësisht vullnetin dhe interesin e kryetarit të saj. Për fat të keq, promovimi brenda partisë nuk ka lidhje me pëlqyeshmërinë e elektoratit që votoi kandidatët për deputetë të PD në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit”, thotë ai.
Kurse Fatbardh Kadilli mendon, se “kritikët e Bashës që u mënjanuan nga forumet drejtuese do të shfrytëzojnë hapësira të tjera për të shprehur ide alternative të veprimit politik të opozitës.”
Sali Berisha dhe PD
Idetë alternative të veprimit politik të kritikëve të Bashës për ringritjen e PD pas tre humbjesh radhazi të zgjedhjeve përmbajnë brenda kërkesën për ndarjen e PD nga ish-presidenti dhe ish-kryeministri Berisha.
Kritikët e Bashës e shohin fatin politik të tij dhe PD pikërisht në këtë ndarje. Sipas Fatbardh Kadillit, me riciklimin e mbështetësve të njohur, tradicionalë të Berishës në forumet e reja drejtuese, PD po mbahet peng duke mos e lejuar të ndahet nga e shkuara në emër të së ardhmes dhe ringritjes së saj.
“Baza e PD kërkon ndarjen nga Berisha, por lidershipi nuk merr vendim të qartë. Unë vetë kam bërë thirrje në median sociale që demokratët të shohin nga e ardhmja, të ndahemi nga çdo trashëgimi që na korrupton, që na mban peng sado emocione të na lidhin me të”, thotë për DW, Fatbardh Kadilli.
Aleksandër Çipa, analist i pavarur në Tiranë, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, e sheh si “pengmarrës” raportin e Berishës me PD.
“Berisha ka vendosur që për fatin e vetë individual të mbajë peng partinë me këmbënguljen e tij për të sfiduar kërkesën amerikane. Me këtë qëndrim ai po i injekton PD zvogëlimin e saj të pakthyeshëm, që është goditje mbi kapacitetin opozitar dhe atë të pluralizmit funksional në Shqipërinë e sotme dhe sidomos në legjislaturën e re të Parlamentit”, kritikon Çipa në bisedë me DW.
Për Fatbardh Kadillin përbërja e forumeve të reja drejtuese me mbështetës të Berishës nënkupton edhe një thyerje të heshtjes së deritanishme të Bashës ndaj kërkesës amerikane për largimin e “atit të tij politik” nga Parlamenti i ri, përderisa nuk ka një vendim të PD për praninë ose jo të Berishës në hapjen e punimeve të Parlamentit të ri, javën që vjen, më 10 shtator.
“Berisha dhe Basha janë në koordinim të plotë. Qëndrimi i tyre nuk mbështetet në parime, por në llogari për të ardhmen e tyre”, thotë për DW, Fatbardh Kadilli.
Godole: PD të ndjekë modelin gjerman, rastin e Helmut Kohl
Por afrimi i 10 shtatorit dhe sfida ndaj kërkesës amerikane po nxit zëra të rinj pro largimit të Berishës nga politika. Jonila Godole, pedagoge në Universitetin e Tiranës, Drejtore Ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, kontribuese e njohur në zbardhjen e krimeve të regjimit komunist. e sapoemëruar në ekipin e ri të Bashës si Drejtuese e Sekretariatit për të Përndjekurit Politikë, kërkoi të martën në mbrëmje (31.08) distancimin e PD nga Berisha.
“Vendimi i Z. Berisha është vendim personal i tij. Çdo forcë politike tregon pjekurinë e vet pikërisht në këto lloj momentesh të rëndësishme. Kjo do ta çojë PD përpara ose jo. Personalitete të mëdha që kanë qënë absolutisht të rëndësishëm për gjithë Europën, si rasti i ish-kancelarit gjerman, Helmut Kohl, kur partisë së tij iu desh në një moment të caktuar të marrë vendimin që të ndahet prej tij duke i respektuar kontributin e tij deri në fund”, tha ajo të martën në mbrëmje për kanalin televiziv kombëtar “News 24”.
A do të ndjekë Basha përvojën gjermane?
Nuk ka sinjale që Basha mund ta ndjekë modelin që ka krijuar Gjermania me rastin e ish-kancelarit, Helmut Kohl, i cili në vitin 2000 dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të nderit të CDU, (Partia Kristiandemokrate) pas skandalit të donacioneve të CDU, që dëmtoi reputacionin e tij.
Në situatën e krijuar kur 9 shtatori është në prag dhe zhvillimet aktuale flasin për një hyrje të mundshme të Berishës në Parlament qoftë si deputet i PD ose deputet i pavarur, Aleksandër Çipa është i mendimit, se “sfidës politike të PD ndaj kërkesës amerikane do t’í vendoset patjetër ajo juridike”.
“Ka shumë gjasa që institucionet e reja kushtetuese të hetimit dhe investigimit do të kenë subjekte të reja hetimi për protagonistët e vjetër dhe të rinj të qeverisjeve të konsumuara në Shqipërinë e të ashtuquajturës kohë të tranzicionit, ku Berisha ka qenë dhe është çertifikuar si kryeprotagonist dhe bëmëtar i patëdytë. Nëse ky hetim hapet shpejt, atëhere legjislacioni aktual e njeh pengimin dhe imponimin e tërheqjes nga mandati i deputetit”, thotë për DW, Aleksandër Çipa. DW