Tre anije të tjera me grurë të mbetur nga portet e Odessa dhe Chornomorsk janë nisur drejt Britanisë së Madhe, Irlandës dhe Turqisë, pasi kanë kaluar nëpër Stamboll për inspektimin e qendrës së koordinimit, konfirmojnë burime nga Ministria e Mbrojtjes turke, raporton Corriere Della Sera.
Anijet të cilat janë të ngarkuara me grurë janë konkretisht: Navistar, Rojen dhe Polarnet, lëvizjet e të cilave janë duke u monitoruar vazhdimisht. Navistar, duke mbajtur flamurin panamez, i cili transporton 33,000 ton grurë është nisur për në Irlandë. Rojen, me flamurin maltez, i cili transporton 13 mijë ton drithëra, është nisur drejt Britanisë së Madhe. Anija turke Polarnet, e cila transporton 12 mijë tonë drithëra, është nisur për në Karasu në Turqi. Një tjetër anije bosh, Fulmar S, me flamurin e ishujve Barbados, është inspektuar në Stamboll dhe është nisur për në portin e Chornomorsk në Ukrainë, ku do të ngarkohet me drithë për eksport.