Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Serbisë pritet të mblidhet gjatë ditës së sotme vetëm një ditë pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europes, organizatë e cila merret me të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.
Takimi, i thirrur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, pritet të nisë nga ora 11:00 dhe janë të pranishëm përfaqësuesit më të lartë të mbrojtjes dhe sigurisë së Serbisë dhe në rend të ditës do të jetë çështja e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Europes.
Kosova bëri me dije gjatë ditës së djeshme se kishte aplikuar për të qënë anëtare e Këshillit dhe menjeherë pas kësaj erdhi dhe reagimi nga ana e Serbisë ku presidenti Vuçiç deklaroi se ky është një provokim ndaj Serbisë duke shtuar se kjo është një lojë që e udhëheqin vendet kryesore perëndimore dhe se Serbia është një vend i vogël liridashës, që ruan sovranitetin e saj dhe të drejtën për të vendosur.
Donika Gërvalla, ministrka e Jashtme e Kosovës tha pas dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim se Prishtina zyrtare po hap një kapitull të ri ndërsa kryeministri, Albin Kurti u shpreh se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
“Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Liria e shprehjes dhe medias çdo herë e më shumë po shënon përmirësim. Luftimi i korrupsionit është i pakompromis. Reforma në sundimin e ligjit, prioritet”, ka deklaruar Kurti.