Tiranë- Aleanca për Teatrin ka kallëzuar sot në SPAK ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, kreun e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, kreu i SHBÇA, Muhamet Rrumbullaku, e drejtues të tjerë të policisë, pas pretendimit se është dhunuar brenda komisariatit të policisë aktivisti i aleancës, Donald Martini.
Artistët thanë para ambienteve të SPAK se nuk do të ndalen, derisa autorët të dalin para drejtësisë, pasi sipas tyre, kjo është rruga e vetme.
“Kjo është një polici politike, se kur vjen puna për të kontrolluar njerëzit e thjesht ajo vepron, në të kundërt jo, aq më tepër tani me përgjimet. Polici politike, polici militantësh. Ata kanë për detyrë ta zbërthejnë këtë sistem, që po zhbën edhe të drejtën në Shqipëri. Nesër kjo polici do iu futet në shtëpi, me këta drejtues të inkriminuar në mënyrë indirekte. Është një polici që ndalon njerëzit të protestojnë dhe lë mafiozët të ngrenë kullat e krimit. SPAK duhet ta zbërthejë këtë, që këta njerëz të dalin para drejtësisë. Ne nuk do të ndalemi, do të shkojmë përpara, se është rruga e vetme që ka ngelur“- u shpreh Budina.