Në pikën doganore të Kapshticës janë arrestuar tre persona, njëri prej tyre doganier i kësaj pike kufitare, pasi policia ka gjetur mallra kontrabandë në një autobus autobus të linjës Greqi-Shqipëri. Bashkë me doganierin e pikës kufitare janë vënë në pranga edhe shoferi dhe faturinoja i autobusit.
Policia tha se ka sekuestruar “sasi të konsiderueshme karburanti, vaj mjetesh dhe vaj ushqimor, medikamente mjekësore, prodhime letre dhe pleh kimik”.
“Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se në një, do të transportoheshin mallra të dyshuara kontrabandë, u organizuan shërbimet e Policisë, të cilat bënë ndalimin e mjetit, në afërsi të fshatit Dishnicë, Korçë. Gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin e shtetasit Xh. H., me faturino shtetasin F. A., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të konsiderueshme karburanti (nafte), medikamente mjekësore, prodhime letre, pleh kimik, vaj ushqimor dhe vaj automjetesh, mallra për të cilat shtetasit e mësipërm nuk kishin kryer detyrimet doganore”, tha policia.