ITALI– Ish-kryeprokurori Adriatik Llala është vënë në pranga në Romë të Italisë, kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga shpallja e tij në kërkim ndërkombëtar, gjë që u bë më 8 tetor të këtij viti. Mësohet se Llalla është arrestuar më datë 10 dhjetor. Prej tre ditësh, pavarësisht se është prangosur, Llalla qëndron në qelinë e vendit fqinj, në pritje të procedurave që do të bëjnë të mundur ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
sh-prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Apelit me dy vite burg për akuzën e fshehjes së pasurisë në 3 raste.
Pas dënimit, vetë ish-kryeprokurori braktisi Shqipërinë dhe u larguar jashtë vendit. Llalla ishte akomoduar në Romë, ndërsa avokati i tij, Sokol Hazizaj deklaronte se ish-kryeprokurori ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore, por nuk kishte asnjë të dhënë mbi vendndodhjen e tij.
Ish-Kryeprokurori është dënuar gjithashtu me 5 vite përjashtim nga postet publike si dhe i janë konfiskuar 4 sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrorë dhe 1 apartament në Durrës. Që nga muaji shkurt i vitit 2018, Llalla është pjesë e ‘listës së zezë’ të Departamentit Amerikan të Shtetit, që i ka ndaluar hyrjen në SHBA atij dhe familjarëve.
Kush është Adriatik Llala dhe si nisën hetimet ndaj tij?
Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe qëndroi në këtë post deri në vitin 2017. Më 15 mars të vitit 2018, ai u vu nën hetim për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”. Përfundimin e hetimeve e njoftoi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit të Organizuar dhe Krimit të Organozuar e cila ngriti dhe akuzën zyrtare për Llallën: Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, të kryer tri herë. Ish-Kryeprokurori u dënua në muajin maj të këtij viti nga Shkalla e Parë me 2 vite burg, për akuzën e fshehjes së pasurisë në 3 raste. Ai u shpall fajtor për fshehjen e shpenzimeve për familjarët e tij në Gjermani në vlerën e 7050 eurove, fshehjen e shpenzimeve për lindjen e djalit në Amerikë në vlerën e 7700 dollarëve si dhe shpenzimet për ndërtimin e katit të 3 të banesës së tij.