Një punonjës i IKMT-së në Himarë u arrestua nga policia nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
36-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga autoritetet pasi në muajin maj u arrestuan dhe dy bashkëpunëtorë të tij ndërsa një tjetër është në kërkim.
Në pranga këtë të hënë ka rënë 36-vjeçari me iniciale M.N. ndërsa më herët janë arrestuar R. H. dhe E. Z. e i shpallur në kërkim është Dh. B.
Të tre ata janë ish-punonjës të Inspektoratit të Kontrollit e Mbrojtjes së Territorit dhe akuzohen se kanë lejuar ndërtimin e paligjshëm e disa ndërtesave në Himarë kundrejt pagesës.
Detaje:
Specialistet e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin M. N., 36 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë punonjës pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të bashkisë Himarë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit R. H. dhe E. Z. (të arrestuar më parë) dhe Dh. B. (i shpallur në kërkim), ish punonjës pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë, gjatë muajit maj ka shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve në territorin e bashkisë Himarë.