Aktori dhe regjisori Pirro Mani është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Aktori ka ndërruar jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen. Mani ishte një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar.
Ai punoi për 25 vjet në Teatrin Kombëtar. Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Që nga 1967 – 1992 ka qënë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetra pjesë teatrale. Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Është mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”.