Për të bërë këtë buqetë me lule janë dashur ditë të tëra pune. Dy duar që komandohen me vështirësi kanë renditur qindra rruaza të vogla për të krijuar këtë buqetë.
Këtu brenda gjen pasion, dhimbje, plot dashuri dhe mbi të gjitha dëshirën për t’ja dalë me punë dhe me përpjekje. Kjo është dhurata më e bukur që mund t’i bëhej sot dikujt.
Duket një dorë e kujdesshme vajzë e megjithatë është dora e një djali 33 vjeçar të cilin fati e dënoi në një karrige me rrota në moshën 25 vjeçare si pasojë e një sëmundje. Por kjo vështirësi nuk arriti t’i marrë Gentianit dëshirën për të punuar, për t’u ndjerë i dobishëm dhe për të vrarë orët e gjata brenda në shtëpi.
Ajo që nisi si pasion u shndërrua në një punë të vogël. Gentiani ka arritur të shesë online disa nga punimet e tij ndërsa shpreson që më shumë njerëz ti pëlqejnë.
E teksa buzëqeshja dhe ndrojtja i mbulojnë natyrshëm fytyrën, 33 vjeçari nga Klosi i Cerrikut jep kurajo për ata që si i përballen menjë pamundësi fizike.
Gentiani më dhuroi këtë shportë e cila për mua do të jetë simbol force dhe kurajoje përballë çdo vështirësie.