Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka zbuluar të tjera detaje lidhur me atentatin e ndodhur në zonën e Astirit në Tiranë më 13 Nëntor.
Makina tip Audi A7 me vlerë 52 mijë Euro në pronësi të viktimës Erigers Mihasi kishte ndryshuar 4 herë targa. Automjeti luksoz kishte ardhur nga Gjermania dhe në harkun kohor të 2-muajve i janë vendosur 4 targa të ndryshme.
Në muajin Korrik, targat e mjetit ishin AB 024 DO; në muajin Gusht ishin AB 555 DG, sërish në muajin Gusht u ndryshuan në AB 924 EH dhe së fundmi në muajin Shtator AB 008 EM. Dy shkronjat e fundit të kësaj targe janë edhe inicialet e identitetit të Erigers Mihasit.
Hetimet e Prokurorisë për vrasjen e tij dhe Armand Dumanit janë shtrirë në disa pista, ndërsa larja e hesapeve dhe hakmarrja janë ato më të besueshmet. Kjo e lidhur dhe me të shkuarën kriminale të Erigers Mihasit. 32-vjeçari lindur dhe banues në Tiranë në zonën e Yrshekut me precedent të mëparshëm kriminal ishte i skeduar si një prej anëtarëve të grupit shoqëror të Ervis Martinajt.
Që nga viti 2018 dhe deri në datën 13 Nëntor rezultojnë të eliminuar 4 anëtarë të grupit të Ervis Martinajt, mes tyre dhe Erigers Mihasi. 32-vjeçari që ishte shënjestër e atentatit të së shtunës kishte një ditë që ishte kthyer nga Gjermania ku udhëtonte herë pas here. Por Erigers Mihasi nuk po ruhej nga askush dhe po lëvizte i lirshëm kohët e fundit.