Prodhuesit gjermanë të makinave, Audi dhe Porsche kanë vendosur që të hyjnë në Formula 1. Deklarata është bërë nga kreu i grupit të Volkswagen – kompania mëmë – këtë të hënë, raporton BBC.
Herbert Diess tha se diskutimet për hyrjen në F1 janë zhvilluar në nivel bordi. Ai tha se drejtuesit e Audi dhe Porsche, që sjellin të ardhurat më të mëdha për Volkswagen, argumentojnë se kjo mund të sjellë më shumë para.
Duke folur në një event në Wolfsburg, ku Volkswagen ka bazën, Diess tha se përgatitjet e Porsche janë më shumë konkrete se sa Audi, pa dhënë detaje. Porsche pritet që të hyjë në F1 përmes një bashkëpunimi me Red Bull. Audi mund të bëhet pjesë përmes blerjes së një prej kompanive ekzistuese në F1 si McLaren, Sauber, Aston Martin dhe williams.