Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka vizituar sot banorët e prekur nga përmbytjet në Zall-Bastar. Përfaqësuesja e PD, Jorida tabaku u takua me disa banorë, të cilët treguan se vetëm 15 kilometra larg Tiranës gjendja e tyre është mjerueshme. Ata u shprehën se nuk kanë rrugë, nuk kanë një urë të sigurt për të kaluar fëmijët, nuk kanë asnjë investim.
Mes të tjerash Tabaku reagoi dhe në lidhje me videon që qarkulloi në rrjetet sociale ku shfaqeshin disa ministra të kabinetit qeveritar ‘Rama’ duke ngrënë darkë në një restorant në Dubai. Tabaku theksoi se teksa qeveria shfaqet në luks në Dubai, banorët e Zall-Bastarit rrezikojnë jetën për një urë. “Gjendja e fshatit është katastrofike. Ne po vuajmë për gjithçka, këtu rrugë nuk ka, njerëzit janë pa punë, nëpër çadra, por pushtetarët po paguajnë miliona për të bërë qejfet e tyre”- tha një banor “Nuk bëhet fjalë për investime. Këtu bëhet fjalë vetëm për mashtrime të qeverisë. Edhe dëmet e tërmetit i kanë ndarë këto të PD-së, këto të PS-së.”- u shpreh një banori tjetër, ndërsa një kryefamiljar tregoi sesi mungesa e investimeve ndikon në jetën e përditshme.