Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar për situatën e shkaktuar nga zjarret në vend dhe akuzon qeverinë se ka dështuar në përballjen me këtë emergjencë.
Në një postim në rrjetet sociale, Basha thotë se pamjet e forcave të emergjencave civile dhe të ushtrisë që përballen me flakët, “janë sa pikëlluese po aq sa indinjuese kur shohim se në të njëjtën ditë, Edi Rama, i heq përballjes me zjarrin helikopterin e ushtrisë, për ta përdorur për udhëtimet e tij”.
POSTIMI I PLOTE
Mirënjohje për punonjësit e emergjencave civile dhe forcat e ushtrisë që po përballen me flakët përgjatë këtyre orëve të vështira. Pamjet që i shfaqin teksa luftojnë me mjete rrethanore janë sa pikëlluese po aq sa indinjuese kur shohim se në të njëjtën ditë, Edi Rama, i heq përballjes me zjarrin helikopterin e ushtrisë, për ta përdorur për udhëtimet e tij.
Natyrisht, kërcënimi i zjarrit është i kudondodhur në rajon, por nuk ndodh askund që në një moment krize, mjetet e pakta të mpaken edhe më shumë për t’i shtuar privilegjet një individi.
Kjo nuk është papërgjegjshmëri, por modeli me të cilin është keqqeverisur dhe varfëruar vendi.
Prandaj nuk ka fonde dhe mjete për t’u përballur me emergjencat, qofshin zjarre apo tërmete, sepse shteti përdoret si instrument i një pakice që punon për vete, jo për qytetarët.