Në takimin e radhës elektoral, kryedemokrati Lulzim Basha u ndal në Bulqizë, ku edhe deklaroi se 25 prilli është dita e ndëshkimit të premtimeve të pambajtura prej 8 vitesh.
Basha premtoi miratimin e statusit të minatorit sipas standardeve evropiane., për të cilin tha se do të jetë realitet brenda 6 muajve të parë në qeverisje.
“A është 25 prilli për minatorët e Bulqizës. A është 25 prilli dita e ndryshimit për këta banorë që e kalojnë gjysmën e ditës nën tokë. A është 25 prilli vazhdim i gënjeshtrave për minatorët e Bulqizës? Kjo është pyetja në mendjet e shumë minatorëve të Bulqizës dhe unë e di fare mirë sepse këtu nga ky shesh kemi folur për problemet dhe zgjidhjet që kanë munguar.
Ne e dimë se Shqipëria është e mbytur në halle për shkak të dështimeve 8-vjeçare të Ramës. Ne e dimë se tragjedia e minatorëve spikat anembanë vendit. Sot kam ardhur me vetëdijen e plotë për të bërë të njohur një nga objektivat kryesore të qeverisë time. Nga selia e PD është shpallur prej 7 javësh, por nuk ka marrë vëmendjen e duhur.
E them sot, sepse për çdo minator bulqizak, për çdo minator shqiptar , për familjet, sindikatat e minatorëve si edhe pensionistët është e rëndësishme. Brenda 6 muajve të parë, qeveria ime do të miratojë statusin e minatorit sipas standardeve evropiane”, tha Basha.