Bashkimi Evropian në partneritet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë kanë inisur projektin e ri me vlerë mbi 7 milionë euro për të mbështetur vaksinimin e sigurt dhe efektiv të popullatave në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Në njoftimin e Komisionit Evropian thuhet se “Ky projekt do të ndihmojë në përgatitjen e rajonit për pritjen dhe administrimin efektiv të vaksinave anti-COVID-19, duke përfshirë ato të marra nga COVAX dhe përmes mekanizmit të ndarjes së vaksinave të BE-së me shtetet Anëtare të BE. Kjo gjithashtu do të ndihmojë në përmirësimin e rezistencës së rajonit ndaj emergjencave shëndetësore dhe do ta mbështesë atë në lëvizjen drejt fondeve të qëndrueshme për kujdesin shëndetësor universal.”
Komisioneri për fqinjësinë dhe zgjerimin, Olivér Várhelyi u shpreh, se “me këtë projekt të ri për të mbështetur fushatat e vaksinimit në Ballkanin Perëndimor në partneritet me OBSH, BE vazhdon të japë angazhimin e saj për të mbështetur partnerët e saj në trajtimin e pandemisë që nga fillimi i saj. Projekti vjen në krye të paketës sonë prej 70 milion € për të mbështetur mundësinë e vaksinave për rajonin dhe për të siguruar pajisjet e nevojshme për fushatat”
KE thotë se deri tani ndihma e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor në përgjigje të përballimit të Covid i ka tejkaluar 3.3 miliardë euro.
Kjo përfshin mbështetjen e menjëhershme të pajisjeve, mbështetjen afatmesme dhe afatgjatë për sistemet shëndetësore dhe ekonomitë, mbështetjen për bizneset përmes bankave lokale, ndihmën makro-financiare në formën e kredive.