Miss Intercontinental Serbia, Valentina Petrovic, ka reaguar pasi bëri me duar shqiponjë dykrenare teksa pozonte me Miss Shqipërinë, Miss Malin e Zi dhe Miss Kosovën. Kjo shkaktoi zhurmë të madhe mediatike dhe Valentina ka reaguar me një status duke kërkuar falje dhe sqaron se ka lënë garën.
“Dua të bëj një njoftim publik për foton që po qarkullon në rrjetet sociale! Në një eufori të vrullshme për festën më ftuan të bëja një foto, qëndrova pranë vajzave me shpejtësi të madhe dhe vajzat m’i vunë duart në eufori. Nuk kisha qëllime të këqija, ishte një moment pakujdesie dhe spontaniteti.
Dua t’i kërkoj ndjesë kombit tim, popullit të Kosovës dhe Metohisë, shoqërisë sime, familjes sime që janë konfuzë për shkak të fotografisë së bërë dhe pamaturisë sime dhe rënies në grackën e qëllimeve të këqija të dikujt tjetër. Unë e dua dhe inkurajoj vendin tim dhe vlerat e tij. Shteti ynë është simboli i vetëm që mbaj në zemër. Unë thjesht nuk mendoja kur ndodhi ky akt.
Më vjen shumë, shumë keq, ndaj, përveç një ndjese të thellë, mora vendimin t’u kërkoja leje organizatorëve për t’u larguar nga konkursi dhe kështu të çlirohem nga presioni aktual që po mbaj. Më vjen shumë keq për këtë, por thjesht ndodhi në mënyrë të pamatur. Më duken të vështira të gjitha mesazhet dhe kritikat, por keni të drejtë. Më falni, shpresoj të më kuptoni”,- tha Petrovic në reagimin e saj.
Fotoja u publikua nga Frontina Gashi, përfaqësuesja e Shqipërisë në konkurs. Për këtë ka reaguar edhe babai i Petrovic, duke publikuar një foto të saj me kostumin popullor serb, ku tregon 3 gishtat, simbolin e Serbisë si në një mënyrë për të justifikuar vajzën.