Ish-kryeministri Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit shprehu solidaritetin e tij për Ukrainën, që rrezikohet nga një pushtim i mundshëm rus. Berisha tha ndër të tjera se Kuvendi nuk mund të heshtë për këtë çështje.
Sipas tij Shqipëria duhet të dërgojë fishekë dhe municione në Ukrainë. Ish-kryeministri hodhi akuza të rënda ndaj Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, që siç thotë ai heshtin dhe kjo i shërben Serbisë.
“A po kërcënohet për pushtim një vend sovran? Çfarë është kjo narko-qeveri dhe ky narko-parlament që nuk thotë një fjalë të vetme. A rrihet në këtë parlament apo jo? Më thoni mua. Jo nuk rrihet. Natyrisht, por jam këtu për t’i shprehur solidaritetin tim të plotë në emër të PD, kombit ukrainas. Jam këtu për të ngritur zërin, për të ndihmuar Ukrainën që kërcënohet nga një barbari e Kremlinit.
Shqipëria duhet të bëjë gjithçka për të ndihmuar këtë vend. Të paktën fishekë dhe municione mund t’u dërgohen atyre, por argati i Beogradit jo më kot hesht. Ju zotërinj deputetë duhet të ngrini zërin se përfaqësoni PD jo Lul bravën”, tha Berisha.