Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij pas videomesazhit të presidentit ukrainas, i bëri thirrje Edi Ramës që të anulohen vizat e qytetarëve rusë, si dhe të dëbohet nga Shqipëria ambasadori i Rusisë, e nga ana tjetër të bëhet tërheqja e ambasadorit shqiptar nga Moska.
“Ka qenë një vendim absurd shpallja dhe ftesa e Ramës për turistët rusë në Shqipëri, imagjinoni, vrasës, përdhunues, kainër, pasi kryejnë masakra të vijnë dhe të dynden në plazhet tona për të marrë veten, kjo ishte fyese e rëndë për shqiptarët dhe ju që e ndoqët fjalën e Zelensky kjo ishte dhe një kërkesë e tij.
Kërkoj me urgjencë të anulohen vizat për çdo qytetar rus që kërkon të hyjë në Shqipëri, së dyti, kërkoj largimin e ambasadorit rus nga Tirana dhe tërheqjen e ambasadorit shqiptar nga Moska, zvogëlimin në maksimum të të gjitha marrëdhënieve politike dhe diplomatike”, tha Berisha.