KUBË – Dhjetë persona vdiqën dhe 25 të tjerë u plagosën mbrëmjen e djeshme në Kubë pas një aksidenti rrugor që ndodhi rreth 40 km në perëndim të Havanas, njoftoi Komisioni Kombëtar i Sigurisë Rrugore.
Drejtuesi i autobusit që po transportonte mësues humbi kontrollin e automjetit në autostradëa kombëtare dhe autobusi ra mbi një urë, sipas mediave vendase.
Mësuesit të cilët japin mësim në shkollat në kryeqytetin e Kubës, po ktheheshin në provincën lindore të Granmës.
Të plagosurit, tre në gjendje kritike, u shtruan në spitalet në Havana dhe në provincën fqinje të Mayabeque.
Presidenti Kuban Miguel Diaz-Canel shprehu hidhërimin e tij për “humbjen e jetëve të vlefshme njerëzore” dhe u dha ngushëllimet familjeve të të ndjerëve.