SHBA – Biontechu prodhon një vaksinë të përshtatshme për Omikronin. Këtë e bëri të ditur drejtori i Biontech, Ugur Sahin, gjatë një konference për shëndetësinë. Një studim klinik për vaksinën do të fillojë në fund të janarit, shtoi ai. Sipas Biontech-ut, vaksina e modifikuar mund të livrohet që në mars, po të merren autorizimet administrative.
Agjencia Evropiane e Medikamenteve nuk ka deklaruar ende nëse e konsideron të nevojshme një vaksinë të përshtatshme për Omikron me një përbërje të ndryshme.
BioNTech: sistem paralajmërimi të hershëm për variantet me rrezik të lartë
BioNTech ka zhvilluar gjithashtu me kompaninë britanike InstaDeep një sistem paralajmërimi të hershëm për zbulimin e varianteve me rrezik të lartë të koronavirusit.
BioNTech e ka zhvilluar metodën e re llogaritëse me kompaninë britanike InstaDeep, për të parashikuar variantet me rrezik të lartë të SARS-CoV-2. Është një lloj sistemi i paralajmërimit të hershëm i bazuar në të dhënat e llogaritura nga inteligjenca artificiale (AI). Varianti i Omikronit shumë ngjitës u klasifikua nga sistemi si një variant me rrezik të lartë në ditën e parë që ishte e disponueshme sekuenca e tij.
Metoda e re kombinon strukturën e proteinës Spike me algoritmet e AI për të identifikuar variantet potencialisht të rrezikshme të virusit korona në më pak se një ditë, shpjegoi BioNTech. Për ta bërë këtë, sistemi përdor informacion nga bazat e të dhënave të sekuencës Covid, si p.sh. përshtatshmërinë virale të virusit dhe karakteristikat e tij pushtuese imune.
Variant i ri i padëmshëm francez
Gjatë periudhës së provës, sistemi zbuloi më shumë se 90 për qind të varianteve virale të identifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dy muaj përpara. Variantet Alpha, Beta, Gamma, Theta, Eta dhe Omikron të identifikuara nga OBSH u zbuluan në të njëjtën javë që sekuenca e tyre u ngarkua për herë të parë.
Varianti i vërejtur së fundmi në Francë u vlerësua gjithashtu nga sistemi i ri. Rezultatet tregojnë se aftësia e tij për të anashkaluar sistemin imunitar është e ngjashme me atë të variantit Omikron, por ai shfaq dukshëm më pak zhdërvjelltësi. Sipas BioNTech, kjo e bën atë më pak shqetësues duke pasur parasysh të dhënat aktuale.
“Zbulimi i hershëm i varianteve potenciale me rrezik të lartë mund të jetë një mjet efektiv për të dhënë paralajmërim në kohë për studiuesit, zhvilluesit e vaksinave, autoritetet shëndetësore dhe politikëbërësit, gjë që do t’u jepte atyre më shumë kohë për të ndërmarrë veprimet e duhura kundër tyre,”tha Ugur Sahin, president i BioNTechut.
Në fund të vitit 2020, BioNTech kishte hyrë në një partneritet afatgjatë me InstaDeep, një specialist i inteligjencës artificiale, për ta ndihmuar atë të zhvillonte imunoterapi të reja. (DW)