Bjellorusia do të vendosë trupa të operacioneve speciale në tre zona pranë kufirit të saj jugor me Ukrainën. Kështu deklaruan forcat e armatosura të vendit të martën ndërsa presidenti Aleksandër Lukashenko foli për rolin e raketave të prodhuara ruse në rritjen e mbrojtjes së vendit.
Bjellorusia tha në mars se forcat e saj të armatosura nuk po merrnin pjesë në atë që Moska e quan “operacionin e saj special” në Ukrainë, por ajo shërbeu si një pikënisje për Rusinë për të dërguar mijëra trupa përtej kufirit në shkurt. Minsku është ankuar për muaj të tërë për vendet e NATO-s që grumbullojnë ushtarë pranë kufijve të saj dhe po rrit sasinë dhe intensitetin e stërvitjeve të veta ushtarake, shkruan Reuters.
“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre vazhdojnë të ndërtojnë praninë e tyre ushtarake në kufijtë shtetërorë të Republikës së Bjellorusisë,” tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm Viktor Gulevich. Bjellorusia po vendos gjithashtu njësi të mbrojtjes ajrore, artilerie dhe raketore për stërvitje në perëndim të territorit të saj.