Kush do t’i fitojë zgjedhjet e parakohshme në Kosovë pas rrëzimit të Qeverisë Hoti nga Gjykata Kushtetuese?
Gazetari dhe drejtuesi i emisionit Opinion, Blendi Fevziu beson se shumicën e votave në Kosovë e ka Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar prej Albin Kurtin.
I ftuar në emisionin Zonë e Lirë në Tv Klan, Fevziu e ka konsideruar Albin Kurtin si një “makinë politike të jashtëzakonshme”.
Sipas Blendi Fevziut, gabimi i Albin Kurtit është tendenca majtiste e tepruar, që sipas tij, nuk funksionon në Kosovë.
“Besoj që Kurti është në mënyrë absolute parti e parë në Kosovë. Albin Kurti ka një fushë gati të zbrazët në politikën e Kosovës për momentin. Që Albin Kurti është parti e parë në Kosovë, këtë nuk e diskutojmë dot më. A do jetë Albin Kurti të hapë një epokë të tijën përpara, kjo është vështirë të thuhet. Dilema e Albin Kurtit është kjo: Është partia më e votuar në Kosovë, është parti e madhe, është një prej njerëzve që në gjykimin tim është një kafshë politike në kuptimin pozitiv të fjalës. Është një makinë politike e jashtëzakonshme. Është nga politikanët më të vjetër në Kosovë, ka qenë aktiv që në vitin ’96. Gabimi i Kurtit, në gjykimin tim, është një tendencë majtiste e tepruar që nuk funksionon në Kosovë. Kjo tendencë majtiste nuk e ka lejuar Albin Kurtin të hapë një epokë. Sepse Kosova ka pasur epokën e Ibrahim Rrugovës”, është shprehur Blendi Fevziu.