Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian vazhdojnë të negociojnë ndërsa bisedimet mbi një marrëveshje tregtare postBrexit hyjnë në një periudhë tjetër kritike 48-orëshe.
Bisedimet në Bruksel përqendrohen në atë se sa vite do të duhen për tu përshtatur me rregullat e reja të peshkimit.
Ndërkohë që mes të dyja palëve ka mosmarrëveshje për të drejtat në ujërat e peshkimit dhe nivelet e kuotave, kryenegociatori i BE Michel Barnier tha se “momenti i së vërtetës” kishte mbërritur dhe kishin “vetëm disa orë të mbetura” për të nënshkruar një marrëveshje.
Më parë, ai ishte takuar me ministrat e peshkimit nga shtetet e BE për të diskutuar ndarjet e vazhdueshme mbi çështjen.
Mbretëria e Bashkuar, e udhëhequr nga kryenegociatori i saj David Frost, këmbëngul që të drejtat e saj sovrane mbi ujërat e saj duhet të respektohen që nga dita e parë dhe flotat e saj të ketë të drejta të plota për peshkimin.
Barnier paralajmëroi të Premten se nëse Mbretëria e Bashkuar dëshiron të zvogëlojë aksesin për anijet e peshkimit të BE atëherë edhe blloku do të vendoste kufizime për mallrat britanikë që hynë në tregun e saj të përbashkët për mallra.
Në përgjigje, Johnson tha se pala e Mbretërisë së Bashkuar ishte e gatshme të vazhdonte të fliste por gjëra dukeshin të vështira dhe e nxiti BE të “vinte në tryezë” me propozime të reja që njohin autonominë e Mbretërisë së Bashkuar.
Mbretëria e Bashkuar do të ndalojë së ndjekuri rregullat e BE-së në më pak se dy javë dhe nëse nuk ka marrëveshje deri në 1 janar, të dy palët do të mbështeten në rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) për eksportet dhe importet.