Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ditën e sotme ka qenë në një vizitë zyrtare në Hagë, ku dhe ka zhvilluar një takim me Komisionerin e Lartë të sapozgjedhur të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Kairat Adbrakhamanov. Në takim me Komisionerin e Lartë Adbrakhamanov, Cakaj theksoi se biseda u përqëndrua në çështjen e fshirjes së adresave të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Sakaq, Kryediplomati bëri me dije se gjatë takimit u siguruan se kjo çështje do të trajtohet me përparësi të plotë nga Komisioni i OSBE-së për Pakicat Kombëtare.
“Shpalosëm informacion të hollësishëm edhe për disa praktika të tjera atje, lidhur me pamundësinë e përdorimit të hapur të simboleve kombëtare dhe nënpërfaqësimin e rëndë në institucione shtetërore.”- vijoi Cakaj në një postim në facebook, lidhur me takimin. Mirënjohje e pamatë për Komisionerin, për qasjen konstruktive në mbledhjen e sotme e ne do të vazhdojmë pakursyer për ta shtruar në çdo rrafsh ndërkombëtar fatin e vëllezërve tanë në Luginë.”- përfundoi Cakaj.