Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij grek, Kyriakos Mitsotakis, ranë dje dakord të përshpejtojnë negociatat për përfundimin e një marrëveshjeje të përbashkët me qëllim dërgimin e dosjes për caktimin e kufijve të Zonave Detare të të dyja vendeve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Mediat greke zbardhin takimin mes dy kryeministrave kur shkruajnë se kjo çështje u diskutua midis dy liderëve përpara fillimit të Samitit të NATO-s në Bruksel. Në axhendën e Kryeministrit grek Mitsotakis në Bruksel, në 13:20 ishte parashikuar një takim me Kryeministrin Edi Rama dhe menjëherë pas tij, në 13:35, takimi me Kryeministrin britanik, Boris Xhonson. Sipas medias helene “Kathemerini”, Mitsotakis përsëriti mbështetjen e palëkundur të Greqisë për kursin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Burime qeveritare thanë për median greke se Rama falënderoi Kryeministrin për dhënien falas të 20,000 vaksinave që u dorëzuan të hënën në Shqipëri. “Mitsotakis vuri gjithashtu në dukje interesin e palëkundur të Greqisë për pakicën kombëtare greke në Shqipërinë e Jugut, si dhe përparimin e Shqipërisë në fushat e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, të cilat janë ndër parakushtet që BE ka kërkuar nga Shqipëria për përparimin në bisedimet e saj të pranimit”, tha zyra për mediat e kreut të qeverisë greke.
Arsyen se përse bisedimet mes Tiranës dhe Athinës kanë ngecur për çështjen e përcaktimit të kufirit detar dhe zonave ekskluzive ekonomike i zbuloi pak ditë më parë ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias. I pyetur se përse nuk po avancojnë diskutimet që të dyja vendet t’i drejtohen Gjykatës së Hagës për çështjen e detit, Dendias shprehet se ngecja ka të bëjë me konfliktin mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit Meta, i cili nuk pranon të lëshojë autorizim fuqiplotë për të negociuar mbi kërkesën që Shqipëria do t’i bëjë tribunalit të Hagës.
“Në Shqipëri ka pasur një debat që nuk kishte asnjë lidhje me marrëdhëniet greko-shqiptare. Kishte të bënte me marrëdhëniet midis Kryeministrit dhe Presidentit të Shqipërisë, mosmarrëveshja e madhe nëse Presidenti do t’i jepte Kryeministrit autorizim për të negociuar kushtet e Marrëveshjes së Hagës, për të cilën Edi Rama është zotuar publikisht dhe unë duhet të them se e ka përsëritur atë shumë herë, se nuk ka asnjë problematikë – nuk ka asnjë problem. Unë dua t’ju kërkoj të mos i shihni marrëdhëniet greko-shqiptare në kontekstin se shqiptarët janë miq me turqit, kështu që ata nuk janë automatikisht miq të Greqisë. Është shumë më e komplikuar”, është shprehur ministri i Jashtëm grek, Dendias. Ministri grek ka deklaruar se është i lumtur që Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj për të parë vetëm drejt BEsë, dhe kjo sipas tij, do ta afrojë edhe me Greqinë.
Ai thotë se Greqia nga ana tjetër nuk do të bëjë asnjë lëshim në këtë drejtim, por për të gjithsesi është çështje kohe afrimi i Shqipërisë me BE-në. “Dhe më lejoni t’ju them, Shqipëria historikisht – dhe nëse e shikoni në perspektivë – ka bërë zgjedhjen e saj. Fakti që Shqipëria dëshiron të bëhet anëtare e familjes europiane, që do të thotë nënshkrim i të gjitha vendimeve të acquis europiane, tregon se ku do të jetë Shqipëria në 50, në 100, në 150 vjet nga sot. Dhe do të shihni se Shqipëria ka një tregues të pajtueshmërisë së konsiderueshme me vendimet e politikës së jashtme të Bashkimit Europian”, u shpreh Dendias.
Për ministrin e Jashtëm Dendias, minoriteti grek në Shqipëri mbetet guri i provës së Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Për çështjet e të respektimit të të drejtave të minoritetit, Greqia nuk do të bëjë asnjë lëshim. “Sigurisht, që ne nuk do të bëjmë asnjë lëshim për palën shqiptare. Ajo do të duhet të plotësojë kushtet për pjesëmarrje në parimet europiane, përfshirë mbrojtjen absolute të të drejtave të pakicës greke. Sidoqoftë, jam i lumtur të them se besoj se Shqipëria ka bërë zgjedhjen. Është çështje kohe, përpjekjeje, por e ka bërë zgjedhjen themelore”, u shpreh gjatë intervistës në mediat greke ministri i Jashtëm, Nikos Dendias.