Tre studiues nga Instituti i Virologjisë në Wuhan të Kinës u sëmurën në nëntor 2019 duke kërkuar kujdes spitalor, tregon një raport i inteligjencës amerikane.
Ky raport mund të ketë një peshë në valën e thirrjeve të shtuara për hetime të plota lidhur me dyshimet se virusi mund të ketë dalë nga laboratorët, raporton “The Wall Street Journal”. Në artikullin e medias në fjalë theksohet se detajet e raportit shkojnë përtej një dokumenti të Departamentit Amerikan të Shtetit, të lëshuar gjatë ditëve të fundit të Administratës Trump.
Studiuesit u sëmurën në vjeshtën e 2019-ës me “simptoma të vazhdueshme të Covid-19”. Zbulimi i studiuesve të sëmurë, koha e tyre sëmundjeve dhe vizitave në spital, vjen në prag të takimit të OBSH-së, ku pritet të diskutohet lidhur me fazën tjetër të hetimeve mbi origjinën e Covid-19. Zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lidhur me Inteligjencën shprehën pikëpamje të ndryshme në lidhje me forcën e provave.
Një person tha që ai u sigurua nga një partner ndërkombëtar dhe ishte potencialisht i rëndësishëm, por ende kishte nevojë për hetime të mëtejshme dhe vërtetime shtesë. Një tjetër zyrtar e konsideroi provën e inteligjencës si të fortë. “Informacioni që na erdhi nga burime të ndryshe ishte cilësor. Ishte tejet preciz. Ajo që nuk thuhej saktësisht ishte arsyeja përse u sëmurën”, tha ai duke iu referuar studiuesve.
Nëntori i 2019-s është përafërsisht koha kur shumë epidemiologë dhe virologë besojnë se Sars-Cov-2 nisi të qarkullojë për herë të parë rreth qytetit kinez të Wuhan-it, ku Pekini konfirmoi rastin e parë në 8 dhjetor.
Instituti Wuhan nuk ka ndarë të dhëna paraprake, regjistra sigurie dhe të dhëna laboratorike për punën e tij të gjerë me koronavirusët në lakuriqët e natës, të cilat shumë i konsiderojnë burimin më të mundshëm të virusit.