TIRANË– Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me motivet që mund të kishte Fatmir Hoxhaj për të vrarë Ahmet Toskën. Mësohet se Hoxhaj, ishte martuar me ish-bashkëshorten e Toskës dhe dyshonte se lidhja mes tyre vazhdonte edhe shumë vite pas ndarjes.
Fatmir Hoxhaj dyshonte se gruaja e tij dhe Toska e vijonin lidhjen në fshehtësi.
“Kanë dashur të njëjtën grua. Besohet se Hoxhaj kishte ngritur dyshime se lidhja intime mes Ahmet Toskës dhe bashkëjetueses së tij vijonte në fshehtësi, gjë e cila ka sjellë disa konflikte, duke çuar deri në vrasjen me një plumb në kokë të Ahmet Toskës”, thanë burimet, shkruan Panorama.
Një ditë më parë, Hoxhaj u la në burg. Atë e mbështetën shumë familjarë jashtë seancës gjyqsore, që i thanë të mos dorëzohej.
“Fatmir, rri i qetë, mos u shqetëso. Çdo gjë do të zgjidhet”, thërrisnin nga jashtë familjarët.
Fatmir Hoxhaj nuk e ka pranuar autorësine e krimit, duke treguar si alibi se atë ditë është zgjuar në orën 08:00 nga gjumi, pothuajse dy orë pas vrasjes. Gjithsesi gjykata e ka lënë në burg. 50-vjeçari, Ahmet Toska u qëllua me armë zjarri në kokë në orën 6 të mëngjesit të 26 tetorit, teksa po përcillte bashkëshorten në punë. Kjo e fundit ka parë gjithë skenën.