Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar nga selia blu pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, të bëra sot në konferencë me gazetarët për shëndetësinë. Lideri demokrat u shpreh se Rama vetëm mashtron, pasi sipas tij ka pasur 8 vite kohë që të mbante premtimet e tij dhe të reformonte shëndetësinë. Sipas Bashës, Rama me konferencën e mbajtur kërkon t’i kundërvihet planit të Partisë Demokratike për shëndetësinë. Basha ka thënë se “Tirja” është produkt i qeverisë Rama, që nuk do të ekzistojë pas 25 prillit.
“Ka tetë vite në krye të qeverisë, ka patur 8 vite kohë premtimin për shëndetësinë falas. Le t’i drejtohemi çdo shqiptari? Ku është shëndetësia fals? Pse paguajnë akoma? Taksat u janë marrë, faturat janë rritur. Shqipëria sot ka një sistem shëndetësor në kolaps, me numrin më të ulët të testimeve, me numrin më të ulët të mjekëve për banor, kanë vetëm Tiren. Në fund të 8 viteve del dhe rri tre orë në ekran e tregon se çfarë do të bëjë. Pse e bën sot nuk ka pasur kohë më parë, del për t’iu kundër vënë planin tonë. Vetëm një gjë ka bërë ua ka marrë paratë shqiptarëve dhe ua ka dhënë miqve të tyre”, tha Basha.