Vendimi kundër ish-Presidentit Nicolas Sarkozy është një sinjal. Klasa sunduese e Francës është mësuar prej kohësh të mbetet pa u ndëshkuar – Vendimi i shërben demokracisë, thotë Barbara Wesel.
Nuk është sikur Nicolas Sarkozy duhet të shkojë në burg me tregtarët e drogës dhe hajdutët e makinave. Nëse dënimi i tij konfirmohet në apel, ai mund të qëndrojë në komoditetin e shtëpisë së tij me një prangë elektronike në kyçin e këmbës. Gruaja e tij, kantautorja Carla Bruni, mund t’i luajë një këngë në kitarë me refrenin: “Mund të bësh shumë gjëra, puna është të mos të të kapin”.
Janë grumbulluar kaq shumë gjëra me kalimin e kohës në epokën e Sarkozy-së. Në një kohë që francezët zbaviteshin me detajet e jetës së tij të dashurisë, zullumet e tij politike u shfaqën vetëm më vonë. Ai u dënua sepse gjykata e konsideron të provuar se ai i dha ryshfet një prokurori të përgjithshëm në vitin 2014 për të marrë informacion në lidhje me një hetim.
Presidencë skandalesh
Të gjitha ishin atje, nga telefonat e hedhur në plehra dhe telefonatat e përgjuara, te një post luksoz në Monako – dosjet e gjykatës kanë material të mjaftueshëm për një skenar të shkëlqyer. Dhe kjo nuk është e gjitha: Në një gjykim të mëhershëm, Sarkozy u lirua nga akuzat për pranimin e dhuratave të padeklaruara për fushatën e tij elektorale nga Liliane Bettencourt, trashëgimtare e L’Oreal-it. Akuzat ishin një barrë për vite me radhë.
Dhe drejtësia akoma nuk ka mbaruar punë me ish-presidentin.
Një gjyq për financimin e paligjshëm të fushatës së tij presidenciale të vitit 2007 fillon pas dy javësh. Sarkozy thuhet se ka marrë 50 milionë Euro pikërisht nga ish-sundimtari libian Muammar Gaddafi. Një tjetër hetim ka në fokus punën e tij si këshilltar për një kompani ruse, duke përfshirë pyetje të vështira në lidhje me punësimin e gruas së tij të parë si bashkëpunëtore.
Sarkozy është ish-presidenti i dytë që dënohet nga një gjykatë franceze. Në vitin 2011, Jacques Chirac u dënua për përvetësim dhe keqpërdorim të parave publike, kur ishte kryetar i bashkisë së Parisit. Gjyqi më spektakolar, megjithatë, ishte ndoshta ai kundër Francois Fillon, i cili i pagoi gruas së tij një rrogë si punonjëse për vite me radhë, edhe pse ajo nuk punoi kurrë. Vendimi shkatërroi karrierën për president të kandidatit konservator dhe i hapi dyert Emmanuel Macronit.
Pranimi i përfitimeve si privilegj zyrtar
Gjërat ishin ndryshe vetëm disa dekada më parë. Akuzat kundër Valery d’Estaing për pranimin e diamanteve nga diktatori famëkeq i Afrikës Qendrore Jean-Bedel Bokassa, nuk arritën asgjë. Dhe në njëfarë mënyre, njerëzit e pranuan faktin që Francois Mitterrand e vendosi të dashurën e tij bashkë me të bijën në një apartament shtetëror të ruajtur nga oficerët e policisë. Për një kohë të gjatë, për klasën sunduese në Francë vlenin rregulla të ndryshme. Kjo është arsyeja që francezët janë kaq të zemëruar me politikanët e tyre.Sarkozy u shpall fajtor për përpjekjen për t’i dhënë ryshfet një gjykatësi duke i ofruar ndihmë për të gjetur një punë të lartë në Monako
Por tani, prej disa vitesh, drejtësia ka ndjekur gjithnjë e më shumë vepra penale të kryera nga politikanë, të cilat më parë do të qenë mbuluar. Pritja e publikut për një ndjekje penale të drejtë kundër njerëzve të zakonshëm dhe atyre me pushtet është rritur. Lidhjet e vjetra po ofrojnë gjithnjë e më pak mbrojtje – hetimet e fundit flasin për një ndryshim të klimës.
Shanse të pakta për rikthim
Sigurisht, proceset gjyqësore, si ai kundër Sarkozy-së, janë shoqërohen edhe me rrezik. Mbi të gjitha, ishte ai vetë që pretendoi se e gjitha ishte gjueti shtrigash. Dhe, është plotësisht e mundur që gjyqe të tilla kundër politikanëve të të shfrytëzohen nga pala tjetër thjesht për përfitime politike. Atëherë do të dalë se sa objektivisht dhe në mënyrë të pavarur e vazhdon drejtësia punën e saj.
Vendimi është një goditje për ish-presidentin. Thuhet se ai flirtoi me idenë për të bërë një rikthim politik në zgjedhjet presidenciale të pranverës së ardhshme, pasi konservatorët janë pa një kandidat të besueshëm. Sarkozy natyrisht mund të vazhdojë të lëvizë fijet brenda partisë së tij, por fushata për president, me një precedent kriminal, do të jetë e vështirë. Sidoqoftë, vendimi kundër tij është një sinjal se askush nuk është mbi ligjin. Është një shenjë e rëndësishme të zhgënjyerit dhe të deziluzionuarit në Francë./DW