Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 2 vite burg ish-kryeprokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Përveç dënimit me burg, GJKKO ka vendosur që Llalla të mos mbajë për 5 vite poste publike. Ndërsa po ashtu sekuestro i është vendosur edhe pasurisë së tij. Vendimi i GJKKO do të shkojë në Apel, i cili ose do të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, ose do të marrë një vendim të ri.
Gjatë seancës së sotme, avokati i Llallës, Sokol Hazizaj është shprehur se e gjithë çështja është një farsë, duke shtuar më tej se Llalla ka marrë dhe para borxh për të ikur në Gjermani kur u kërcënua.
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ka përmbyllur edhe fazën e gjykimit nga e para në 5 seanca. Gjyqi ndaj tij u kthye në pikën e fillimit më 16 prill, ku u revokua kërkesa e tij për gjykim të shkurtuar dhe pritet të nisë gjykim i zakonshëm.
Por pse akuzohet Adriatik Llalla?
Hetimet për Adriatik Llallën kanë nisur disa muaj më parë, dhe bëhet me dije se bëhet fjalë për mosdeklarimin e një shume parash në Gjermani, e cila është përdorur për shkollimin e vajzës së ish-kryeprokurorit. Vetë Llalla ka deklaruar se këto para i kishte marrë borxh nga një mik i tij. Ndërkohë pritet vendimi që do të merret nga GJKKO.Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla u largua nga detyra në 8 dhjetor 2017 pasi i skadoi mandati dhe në vend të tij u zgjodh vetëm me votat e socialistëve, kryeprokurorja Arta Marku. Llalla i shpëtoi procesit të Vettingut, pasi paraqiti dorëheqjen nga sistemi para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. KPK-ja pranoi kërkesën e Llallës duke e nxjerrë nga sistemi dhe duke mos kaluar në Vetting. Komisioneri Publik ankimoi pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, vendimin e KPK-së.
Po kështu, Adriatik Llalla është një prej tre ish-zyrtarëve të lartë shqiptarë, për të cilin sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, më 14 shkurt të 2018, komunikoi vendimin se ai nuk do të shkelë kurrë në tokën amerikane. Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla nuk është pajtuar me këtë vendim të SHBA-së.