Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar ditën e sotme me disa mjekë ku ka dëgjuar prej tyre problemet që po hasin, në përballimin e pandemisë së COVID-19.
Teksa shprehet se mostestimi është politike e qeverisë, e cila ka kolapsuar spitalet, Basha e riktheu sërish vëmendjen tek denoncimi i bërë prej tij rreth gjashtë ditë më parë, në lidhje me manipulimin e shifrave të viktimave.
Basha thekson se prej gjashtë ditësh i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë hetimin, por manipulimi po vijon, me qëllim fshehjen e dështimit të qeverisë.
Po ashtu kryedemokrati thotë se fshehja e numrit të viktimave është përgjigjia e qeverisë ndaj rëndimit të situatës.
Basha: Mostestimi, politikë zyrtare e qeverisë, ka përhapur infeksionin. Mostestimi ka paralizuar kapacitetet planifikuese, ka kolapsuar spitalet.
Kapacitetet hospitalizuese nuk janë vetëm shtretërit, por edhe aparaturat dhe ilaçet. Gjithë zinxhiri i administrimit të pandemisë në kolaps, manipulim i numrit të viktimave. I kam bërë thirrje Prokurorisë të hetojë prej 6 ditësh.
Vijimi i manipulimit, për të fshehur dështimin e qeverisë. Mjekët nuk kanë asnjë faj. Nuk po investohet në kapacitetet e testimit.
Situata po rrokulliset në formë orteku, çdo ditë e më e pamenaxhueshme. Përgjigjja e qeverisë ndaj rëndimit të situatës, fshehje e shifrave të vdekjeve.