Deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Vullnet Sinaj në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit deklaroi se i gjithë globi është i ndërgjegjshëm se, në kohën që populli ukrainas po e paguan faturën e luftës me çmimin më të lartë, me jetën, popujt e tjerë po e paguajnë me ekonomitë e tyre.
“E dimë të gjithë situatën e pazakontë që është krijuar nga Lufta në Ukrainë, e cila që me fillimin e saj në shkurt të këtij viti, solli rritje të çmimeve në bursë të grurit, të vajit të lulediellit dhe të karburantit, i cili ndikoi edhe në rritjen e kostos së transportit.
Efektet e rritjes së çmimeve u ndien menjëherë edhe në Shqipëri duke vendosur para një vështirësie të gjithë qytetarët e vendit tonë. Ukraina, e cila ishte baza i furnizimit me produkte ushqimore të vendit tonë, vijon të jetë në luftë. Kjo situatë, siç e parashikon presidenti Bajden do të vazhdojë ta ndikojë akoma globin. Do doja t’u thosha të gjithë importuesve, të siguroni rezerva edhe më shumë se tre muaj me produktet bazë ushqimore, që ato të mos mungojnë asnjëherë në treg”, deklaroi Sinaj.
Deputeti Sinaj nga foltorja e Parlamentit i bëri thirrje biznesmenëve dhe tregtarëve që në këtë situatë të pazakontë të mos mendojnë për përfitimet personale.
“Në të njëjtën kohë, do të ishte mirë që importuesit, për importin e produkteve bazë, të hidhnin sytë edhe jashtë tregjeve e Europës, në kërkim të tregjeve të reja në rajone të tjera. Përfitoj nga rasti, t’u dërgoj edhe një mesazh biznesmenëve dhe tregtarëve. Në këtë situatë të pazakontë, askush nga ne nuk duhet të mendojë për përfitimet personale. Si një deputet që vjen nga bota e biznesit unë e kuptoj shumë mirë rëndësinë e lirisë së tregut. Por, më shumë se përfitimet e dikujt, në këto momente historike ka rëndësi mirëqenia e të gjithëve. Në momentin e parë, instikti i tregtarit për të fituar, i çoi disa importues dhe tregtar të pakicës në abuzim me çmimin e vajit dhe disa produkteve të tjera. Por, asnjë prej tyre nuk duhet të harrojë se këto fitime të arritura shpejt për shkak të kërkesë-ofertës në treg, në momentet e krizës kanë rënduar ekonominë e shumë familjeve shqiptare. Këto çmime abuzive kanë rënduar këdo, edhe vetë familjet e punonjësve të atyre bizneseve”, tha Sinaj.
Gjithashtu deputeti Sinaj u shpreh se nuk mund të shfajësoj askënd që gaboi në ato momente.
“Ju dhe unë e dimë se këto produkte, për arsye të konsumit të madh dhe të konkurencës, kanë patur norma të ulëta fitimi edhe para krizës. Këtë e vërteton më së miri dhe analiza profesionale e ministrisë së Financave mbi historikun e marzheve të fitimit të këtyre produkteve para krizes. Pikërisht, mbi këtë analizë është bazuar dhe do të bazohet në të ardhmen Bordi i Transparencës, për monitorimin e çmimeve të produkteve ushqimore bazë në treg. Por, unë i ftoj të gjithë biznesmenët të ndërgjegjësohen për rëndësinë afatgjatë që ka solidarizimi me këtë situatë. Dhe nuk është rastësi që biznesi e ka mbështetur ndërhyrjen e qeverisë. Siç rezultoi e drejtë më pas, ndërhyrja e qeverisë ishte e domosdoshme. Kjo është një situatë e re me të cilën as tregu ynë, as tregu europian nuk ishte mësuar. Në vështrim të parë duket sikur dalim jashtë rregullave të ekonomisë së tregut të lirë. Por, situatat e jashtëzakonshme kanë nevojë për veprime të jashtëzakonshme. Ndaj, qeveria u detyrua të ndërhyjë në treg. Për të zbutur këto vështirësi dhe për të shmangur abuzimet e mundshme, Qeveria vlerësoi të nevojshme mbikëqyrjen e situatës dhe miratoi këtë Akt Normativ, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg.”, shtoi Sinaj.
Në përfundim të fjalës së tij deputeti i PS Vullnet Sinaj theksoi se në thelb të këtij akti Normativ, qëndron krijimi i Bordit të Transparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të produkteve ushqimore bazë, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të disa Ministrive, por edhe përfaqësues nga biznesi. Bordi do të funksionojë vetëm në rastin e situatave të veçanta të caktuara me vendim të Këshillit të Ministrave dhe do të përcaktojë:
-Listën e ushqimeve bazë për të cilat do të zbatohet monitorimi i çmimeve
-Marzhin e fitimit ndaj subjekteve që importojnë, prodhojnë apo tregëtojnë këto ushqime bazë.
Për të kontrolluar zbatimin e vendimeve që do të marrë Bordi në kuadër të monitorimit të çmimeve, në këtë akt Normativ është parashikuar krijimi i një task-force.
Eunews.al