Jashtë foltores së Kuvendit dhe i zhveshur nga kostumi i deputetit, Vullnet Sinaj ndan për herë të parë me publikun rrëfimin e jetës së tij. I ftuar në emisionin “Rrëfim” të gazetares Albana Qirjako, deputeti Sinaj rrëfen për fëmijërinë, vitet që ka shërbyer si ushtarak, emigrimin drejt Italisë, rikthimin në vendlindje dhe hapat e parë drejt suksesit si sipërmarrës.
Deputeti Sinaj u lind në fshatin Selenicë të Vlorës, djali i vogël i familjes Sinaj, familje e nderuar dhe e respektuar e asaj zone.
Mes vështirësive që jetonte vendi ynë në atë kohë, ashtu si çdo moshatar i tij, edhe Sinaj qysh fëmijë ushqente dëshirën për të punuar dhe për të kontribuar në familje për kushte dhe jetesë të mirë.
Një nga ngjarjet që do të ndryshonte jetën e tij ishte nisja e studimeve të larta në shkollë ushtarake. Një eksperiencë e vështirë, por që ka ndikuar tek ai.