TIRANË– Dosja.al sjell dëshmitë e plota të dy efektivëve të Policisë që ishin në shërbim mbrëmjen e 8 dhjetorit, në Laprakë, aty ku u ekzekutua nga njëri prej tyre, 25-vjeçari, Klodian Rasha. Nevaldo Hadëraj, 31 vjeç, akuzohet për vrasje në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme, ndërsa prokuroria pret të marrë në dorë 7 kamera sigurie të bizneseve pranë vendngjarjes, me shpresën e zbardhjes së plotë të ngjarjes.
Por çfarë ndodhi më 8 dhjetor 2020, që prej momentit kur dy policët panë Klodian Rashën? Efektivi E.Gj., thotë se asnjëri prej tyre nuk kishte kamera trupi. Ata kanë nisur patrullimin pranë “Al Gusto”(lokal në rrugën Dritan Hoxha), dhe kanë ndaluar një mjet për ta kontrolluar. “Në këtë moment kolegu Nevaldo pa një person të mbështetur në objektin rrethues pranë hotel D. dhe është drejtuar drejt këtij personi normalisht. Në momentin që ka parë lëvizjet e kolegut, personi i veshur me tuta dhe xhup të zi ka lëvizur në trotuar duke u drejtuar për nga Zogu i Zi. Kolegu i bëri thirrje duke i thënë o djali ndalo pak. Kolegu bëri thirrje “armë” dhe unë në këtë moment kam njoftuar sallën operative”.-thotë E.Gj.
Më tej, polici i Shqiponjave, tashmë i kthyer në dëshmitar okular, thotë se Klodian Rasha i ka sharë dhe kërcënuar.
“Duke parë këtë lëvizje kam mbyllur makinën dhe kam vrapuar drejt tij dhe i kam dalë para pranë lokal Oslo. Gjatë ndjekjes kur ndodheshim pranë lokal Virxhiniaky personi më ka folur duke më thënë… largohu se të vrava… do të q. robt’ dhe në këtë moment kam dëgjuar një zhurmë si mbushje arme, por duke qenë errësirë nuk i kam parë sendet në dorën e tij. Në këtë moment kam mbushur armën dhe i kam bërë thirrje “ndal policia, mos bëj asnjë lëvizje ndalo se do qëlloj, por ai nuk i është bindur urdhrit”.-vazhdon ai.
Sipas policit, 25-vjeçari sërish është larguar dhe ka vazhduar vrapin. “Në afërsi të dyqanin Pit Stop pashë kolegun Nevaldon që po vraponte dhe u përplas fizikisht me këtë person. Gjatë përleshjes së tyre unë kam qenë rreth 100 metra larg. Përplasja e tyre ndodhi në pak sekonda dhe në një moment kam parë kolegun të shtrirë për tokë dhe në këtë moment kam dëgjuar dy të shtëna arme. Jam afruar tek kolegu e pyeta a ndjehej mirë, e ndihmova të ngrihej dhe së bashku u afruam tek personi, i cili ishte shtrirë dhe rënkonte. Për shkak të errësirës nuk kishte shenja gjaku dhe dyshuam se mos ishte rrëzuar dhe kishte përplasur kokën. Ambulanca me personin e dëmtuar u nisën drejt spitalit të traumës, ndërsa unë me kolegun me urdhër të eprorëve erdhëm në Drejtorinë Vendore”, rrëfen E.Gj.
Ndërkohë që në dëshminë e Nevaldo Hadërajt, pretendohet se djali kishte armë dhe i ka thënë se do e vriste. “Duke qenë se ai nuk e ndalte vrapin, unë gjatë ndjekjes vura re që ai shtetas diçka nxori nga brezi dhe po e mbante në dorë dhe duke vrapuar më lëshoi kërcënim… mos u afro se do të qëlloj. Ai u kthye dhe me dorën me sendin e dyshuar si armë në drejtimin tim. Në atë çast jam rrëzuar përtokë dhe ashtu i shtrirë bëra qitje në drejtim të këmbëve të këtij shtetasi duke pasur frikën se mos më qëllonte. Pastaj jam ngritur në këmbë dhe ai u tremb dhe u nis drejt një kthese dhe në errësirë, eca pak përpara dhe bëra qitjen e dytë pra ende pa u futur shtetasi në kthesë. Kur iu afrova e dëgjova që rënkonte, dhe e pyeta a kishte marrë ndonjë plumb, por ai nuk mu përgjigj dhe kështu njoftova ambulancën”-thotë ai.