Bëhet fjalë për “hallin” kryesor të shqiptarëve të Italisë, por prej vitesh Shteti ynë nuk po arrin rezultate konkrete.
Një hap përpara vjen si rezultat i angazhimit të Diasporës Shqiptarët e Italisë ngrenë prej vitesh shqetësimin e mungesës së marrëveshjes për pensionet, së fundmi në mënyrë akoma më të vendosur. Para pak ditësh shoqata Volare, themeluar nga aktivistja shqiptare o, – e njohur për publikun tonë si e para kandidate italo-shqiptare në Parlamentin Europian – u kërkoi angazhim të përbashkët për këtë çështje tre sindikatave kryesore, CGIL, CISL dhe UIL.
Ky hap përbën lajm pasi sindikatat në Itali kanë një peshë politike domethënëse. CGIL, CISL dhe UIL kanë gjithsej më shumë se 10 milionë anëtarë, ndaj angazhimi i tyre i përbashkët në krah të diasporës tonë u prit me shpresë nga mijëra shqiptarë që kanë derdhur sigurimet shoqërore në Shqipëri dhe më pas në Itali, duke mos përfituar nga pensioni në asnjërin nga shtetet pasi mungon një marrëveshje e posaçme.
Gerarta Ballo shprehet se “aktivitetet sensibilizuese do të vijojnë duke përfshirë të tëra forcat politike italiane tani që ligji i ri i Buxhetit të Shtetit italian është gati të diskutohet në Parlament, si dhe sigurisht eksponentë të Shtetit shqiptar. Kemi vendosur të mos ndalemi”, – thekson ajo – “jeta e mijëra shqiptarëve është dramatike për shkak të mungesës së kësaj marrëveshjeje dhe drama e mëtejshme e pandemisë përkeqëson gjendjen e tyre. Unë ndiej një përgjegjësi shumë të fortë për të vazhduar këtë betejë sepse jam vajza e këtij brezi, të cilit të gjithë ne të rinjtë italo-shqiptarë i detyrohemi shumë për punën e palodhur këtu në Itali.
Aspekti pozitiv”, – vijon Ballo – “është se po shtohet numri i individëve dhe grupeve të angazhuar, secili sipas mundësive, për të arritur këtë rezultat. Ky angazhim i përbashkët është arritje më vete sepse shqiptarët e Italisë po tejkalojnë përçarjet dhe po ecin drejt ndërgjegjësimit se bashkimi i forcave ka rëndësi në rezultatet domethënëse për komunitetin”.
Njëkohësisht po rritet numri i qytetarëve, shoqatave dhe personazheve publik të dy vendeve që firmosin dhe shpërndajnë peticionin e lançuar po nga Ballo, me anë të së cilit u kërkohet Kryeministrit Conte dhe ministrave Di Maio dhe Catalfo njohja e të drejtës së pensionit për shqiptarët e Italisë.
“Synojmë të përcjellim firmat e mbledhura te institucionet italiane, – shton ajo – “ndërsa aktiviteti i ri sensibilizues do të zhvillohet më 28 nëntor, Dita e Flamurit, sepse duam të nënvizojmë edhe simbolikisht se kjo është kauza kryesore e shqiptarëve të Italisë sot”.