Vrasja e Bledar Muçës në qendër të Lushnjës duket si një skenë krimi tashmë e përsëritur. Viktima ka qenë me një person tjetër, ulur në një nga tavolinat e lokalit të tij në qendër të qytetit. Ata kanë qenë jashtë lokalit, aty ku ishin ulur edhe persona të tjerë, por kjo nuk i ka penguar vrasësit të qëllojnë me breshëri.
Në mes të qytetit, në një zonë të populluar dhe të patrembur nga policia, autorët e krimit kanë arritur të qëllojnë ndaj Bledar Muçës duke e vrarë dhe kanë plagosur personin tjetër që ishte me të. Fatmirësisht nuk ka pasur të plagosur apo të vrarë nga klientët e tjerë të lokalit.
Vrasësit janë larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira. Nuk dihen motivet e krimit, por në Lushnjë tashmë prej vitesh vazhdojnë hakmarrjet mes fiseve për përplasje që e kanë origjinën më shumë se 20 vite më parë. Nuk përjashtohet fakti, që krimi të jetë i motivuar edhe nga një konflikt, që ka lindur kohët e fundit.