Tiranë- Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar sot përmes një postimi në facebook, Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë.
Meta apelon për të bërë gjithçka për të mos lejuar më cenimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, për të garantuar të ardhmen e sigurtë dhe të përbashkët europiane.
“Në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, nderojmë sot me dhembje dhe respekt të thellë kujtimin e 45 civilëve të pafajshëm, që humbën jetën në Masakrën e Reçakut, si dhe të gjitha viktimat e paharruara të krimeve barbare të regjimit të Millosheviçit.Kjo masakër e kryer në zemër të Europës, që shokoi mbarë botën, mbetet një dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar, për të shmangur çdo rrezik për riciklimin e dhunës në rajonin tonë, që ende i ka të freskëta plagët dhe vuajtjet e luftrave.Të bëjmë gjithçka për të mos lejuar më cenimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, për të garantuar të ardhmen e sigurtë dhe të përbashkët europiane.Mirënjohje përjetë Ambasadorit William Walker për denoncimin historik, që i bëri Masakrës së Reçakut vetëm me tre fjalë: Krim kundër njerëzimit!Gjaku dhe sakrificat e Martirëve dhe Heronjve të kombit, në themel të Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës, kurrë nuk do të harrohen!”– shkruan Meta.